BASHKËSIA ISLAME NËSIA ISLAME NAJSTROS, HUMBË VEPRIMTARIN DHE SEKRETARIN E KËTIJ INSTITUCIONI-ALLAHU E MËSHIROFTË
Në familjen Muja, në lagjen Ftjan të trevës së Krajës, trevë e cila, pas Kongresit famëkeq të Berliniti, i përket Komunës së Tivarit, në një familje të njohur me tradita patriotike e atdhetare e mbi të gjitha me ato fetare, më 29 korrik të vitit 1959 do të lind djali i Sylejman dhe Salije Mujës, të cilit do ia vinin emrin Smajl.
Me të arritur moshën madhore për shkollim, prindërit e regjistrojnë në vitin e parë, ciklin e ultë të shkollës fillore në vendlindje-Ftjan, paralele e ndarë e shkollës fillore në Ostros të Krajës. Pranë kësaj shkolle regjistrohet në vitin shkollorë 1966/67 dhe e përfundon në vitin shkollorë 1970/71, po në të njëjtën shkollë. Më vonë përfundon edhe katër klasë të plota, gjegjësisht ciklin e lartë të shkollës fillore “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Ostros të Krajës. Pasi përfundon shkollën fillore nuk i ndjek mësimet e mëtejshme dhe ndalet më këtë shkallë të shkollimit.
Në moshën 22 vjeçare, gjegjësisht vitin 1980 merr thirjen për shërbim ushtarak në APJ dhe asaj i përgjigjet pa vonesë. Kështu, në periudhën 1980/81 përfundon shërbimin ushtarak në Prishtinë të Kosovës. Pastaj kthehet në vendlindje dhe aty merret me punët e përditshme.
Në vitin 1987 martohet me të nderuarën znj. Miliha Alaj dhe pas disa viteve martesë u lind djali i tyre Gazmendi. Jetojnë gjatë gjithë kohës në vendlindje në fshatin Ftjan, ku merren me punët e fshatit, deri në vdekjen e tij, ku bashkëshortja dhe djali i tij shpërngulen në Ulqin në shtëpin e tyre.
Pas përfundimit të shkollës fillore tetëvjeçare në Ostros të Krajës, Smalji nuk vazhdoi shkollimin e mëtejshëm. Ai kurr nuk ju nda librit dhe kështu vazhdoi vetë edukimin duke lexuar literaturë të bollshme. Librin e deshti dhe e kishte shokun më të mirë në jetë duke u shoqëeruar me te në çdo pak kohë të lirë që kishte. Pasion kishte literaturën fetare të fesë Islame, por edhe ato të feve tjera dhe në përgjithësi adhuronte çdo libër, si historik, fetarë, letërsin, librat etnografik e literaturë tjetër. Kishte një bagazh të mjaftueshëm literature, skica, e shkrime të tjera nga autorë të trevës dhe jashtë saj. Koleksionues dhe pasionues i rreptë i çfarëdo libri e literature qofshin ato, ishte haxhi Smnajl Muja.
I pasionuar pas literaturës Islame dhe njëkohësisht duke ecur gjurmëve të dajëgjyshit të tij Alush Halil Kollarit, si dhe duke ndjekur babain e tij Sulejmanin dhe nënen Salijen, ndjesë pastë, fetarë të ndershëm dhe të devotshëm, merr mësimet e para fetare islame nga imamët e xhamisë së Ftjanit, duke ndjekur me përkushtim mejtepin që mbanin çelur për fëmijët e fshatrave të cilët janë xhemati i kësaj xhamie. Pra, lirisht mund të themi se mësimet e para fetare i mori që në fillim në familje nga babai dhe nëna dhe më pas i sistemoi ato duke ndjekur mejtepin e xhamisë së fshatit. Aty i ndjek mësimet fetare me kujdes dhe shumë shpejtë depërton thellë në përmbajtjen e Kur'anit dhe Haditheve të Pergamberit a.s. Edhe pse mësimet e besimit i merr shpejt, kjo nuk do të thotë se ndalet me aq, por Ai njëkohësisht i praktikon dhe i ndjekë edhe më tej gjatë jetës së përditshme, për të plotësuar dita ditës shumë e më shumë bagazhin e dijes në rrugën e nis me pasion e dëshirë të madhe për nxënie.
Sa i ndiqte mësimet e mejtepit, herë pas here ndihmonte imamin e xhamisë së Ftjanit, duke kryer detyrën e muezinit (mezinit-Krajë). Në këtë fushë të dijes ishte i përpiktë dhe kështu për një kohë të gjatë ushtroi detyrën e muezinit (mezinit) në xhaminë e fshatit Ftjan, xhami e cila në kuadrin e saj përfshin xhematin e lagjeve Ftjan, Brisk Poshtë, Brisk Nart e Ljare. Në vitin 1989 fillon të ushtrojë detyrën e muezinit në xhaminë e Ftjanit, duke thirrë për të parën herë sallën. Si i tillë, me zërin e tij dhe sjelljet e tija, me punën dhe pasionin që kishte për te, organizim të nevojave për xhematin, duke treguar shkathtësi, zell e vullnet për çdo ndihmë ku ishte dhe kishte nevojë si xhemati i xhamisë së Ftjani, Ai u bë i dashur për ta dhe jo vetëm.
Përveç që kryente detyrën e muezinit, ai njëkohësisht kujdesej edhe për mirëmbajtjen e xhamisë me rrethinë dhe çdo gjë që nevojitej i merrte parasysh dhe i kryente pa hezituar dhe me dëshirë. Punët e tilla dhe jo vetëm kurrë nuk e lodhnin, madje ai ndiente një kënaqësi të madhe kur dikujt i shtrinte dorën e ndihmës.
Nga përvoja në punë me xhematin ku shërbente si muezin dhe njëkohësisht edhe nga mësimi, praktikimi i punës në detyrë, leximi i shumtë dhe shtimi i nxënies së dijes me literaturë fetare islame, ai herë pas here mbante të hapur mejtepin (mësim-besim), në xhamin fshatit. Mbante mësim-besim fetarë me fëmijët por edhe me të rriturit e fshatrave që janë xhemati i xhamisë së Ftjani, ku edhe sot e këndej, po të biesh në bisedë rreth kësaj çeshtje, shumica prej tyre thonë: “Mos të ishte Smajli, me na mësue si të falemi nuk do dishim as sot”.
Pas largimit nga ushtruesi i detyrës së imamit (pa kualifikim përkatës) në xhaminë e fshatit Ftjan, të ndjerit Xhemal Mustafë Fteja, ndjesë pastë, Smajl Muja zotërohet të marrë detyrën e ushtruesit të imamit (pa kualifikim përkatës), në mënyrë vullnetare (pa pagesë) në xhamin e Ftjanit. Edhe këtë detyrë e kryen me pasion, zell e vullnet të madh për përhapjen dhe njohurin e dijes rreth fesë islame. Është shumë i dashur me xhematin dhe kujdes të veçantë posaçërisht i kushton mbajtjes së mejtepit, gjë që tregon një kulturë të gjërë të punës së tij.
Me themelimin e Bashkësis Islame të Krajës, pas disa vitesh pune si përfaqësues i xhematit të xhamisë së Ftjanit, në postin e këshilltarit, në kuadër të kësaj bashkësie (BIK), Smajl Muja me votë të plotë nga këshilli i përgjithshëm i BIK, zgjidhet Sekretar i Bashkësis Islame të Krajës. Ai me plot dëshirë e pranon këtë post dhe me përkushtim i niset punës dhe detyrës së dalur para tij. Në këtë post (sekretar) ai tregon zgjuarsi dhe nis detyrën me projekte dhe reforma të reja brenda institucionit ku punon. Është i dashur për të gjithë dhe ka përkrahjen e të gjithë këshillit drejtues së BIK. Edhe pse punën e nisur e fillon në objektin e vjetër të këtij institucioni, ai arrin që organizimin e punës dhe sistemimin e dokumentave dhe bibliotekës së kësaj qender t'i veje “për fije”, njëkohësisht duke bërë edhe regjistrimin e librave që biblioteka posedonte. Falë punës së tij por edhe dëshirës për dije e kulturë, Smajlin e bënë që të ketë kujdes të veçantë për librin dhe rregullisht i jepte për lexim tek ato që dëshironim të lexonin duke mbajtur inventar të veçantë.
Pas një kohe, me grumbullimin e fondeve dhe donacioneve të veçanta, merret vendimi për ndërtimin e një xhamie dhe ndërtese të re të BIK në të njëjtin vend ku ishte ajo e më parshmja, por me një zgjërim më të madh, Smajl Muja ishte njëri nga ato për nisjen e punimeve të marruna përsipër nga këshilli i këtij institucioni. Ai së bashku me të tjerë marr mbi krye e gjithë punën e nisur, të xhamisë dhe selisë së BIK si dhe minares së xhamisë, punë dhe projekt ky me një sipërfaqe të bollshme, ku bëhet fjalë për një ndërtesë tre katëshe. Dita ditës kjo ndërtesë merr pamjen e vet dhe idea e nisur dhe puna e bërë tregojnë rezultatin e vet dhe organizimin e punëve të bëra. Me të përfunduar ky objek, sa aq i bukur po aq edhe i nevojshëm për komunitetit krajan, si dhe një ndër ndërtesat më të bukura në qytezën e Ostrosit në trevën e Krajës, merr hov organizimi i aktiviteteve të ndryshme me baza fetare dhe organizohet hapja e mejtepit dhe njëkohësisht edhe hapja e kësaj xhamie për pesë kohët e namazit. Njëri ndër ata i cili kujdesej më së shumtit për rregullat dhe organizimin e tubimeve fetare ishte edhe haxhi Smajl Muja me stafin tjetër udhëheqës të kësaj qendre. Smajli këtu kryente edhe detyrën e muezinit (mezinit) përveç detyrës si sekretar i qendrës. Kujdesej për mirëmbajtjen e objektit, sistemimin e bibliotekës së qendrës me literatur të nevojshëm që sa vinte dhe e pasuronte me botime të reja të kohës, kryente detyrat administrative, organizimin e rasteve të ndryshme brenda qendrës, si xhenaze, pamje në raste vdekjesh, iftare dhe jo vetëm. Puna dhe suksesi në gjithë këto fusha ishte i dukshëm dhe fitoi besimin e të tjerëve sidomos të këshillit të qendrës. Duke e parë punën e bërë, ai vlersohet nga të tjerët dhe autoriteti i tij rritej edhe më shumë dhe punën e nisur e kryente me përkushtim. Përveç punëve brenda qendrës së BIK, ai kishte pasion edhe të dhënat historike sidomos ato të vjelur nga goja e të moshuarve rreth trevës së Krajës, ku shpesh herë shoqëronte edhe studiues të trevës dhe jashtë saj.
Puna e bërë dhe besimi tek shokët e punës e bënë atë që të marr rolin e përfaqësuesit si sekretarit i qendrës së BIK, ku merr pjesë në tubime dhe takime të ndryshme me përfaqësues dhe udhëhjeqës të institucioneve të ndryshme si brenda trevës së Krajës por edhe jashtë saj. Zhvillonte takime dhe biseda të ndryshme me njerëz dhe udhëheqës, për probleme me të cilën ballafaqohej treva e Krajës dhe dhe jo vetëm. Vlenë të theksojmë disa nga ato takime. Bie në sy takimi i tij me Myftiun e qytetit të Shkodrës të ndruarin Muhamet Sytarin më 11 mars 2019, pastaj takimi me Mehdi Gurrën (Themelues dhe Kryetar i Fondacionit (vakëfit) “Alsar” në Tiranë, takim në Ulqin 2018, një takim me Hamid Alaj dhe Abdyl Perashin të ardhur nga New York, ku dy të cekurit dorëzuan të mbledhurat e fondeve nga bashkëatdhetarët e tyre për ndërtimin e qendrës dhe xhamisë dhe me këtë rastin fondet e grumbulluara i dorëzuan tek përfaqësuesit e qendrës, takim i zhvilluar më 31 korrik 2015, takim me Drejtorin e medresës “Mahmet Fatih” z. Fuad ef Çekiq, 20 Qershor 2017, takim prof i Medreses “Mehmet Fatih” Xhevahir Arifaj, 26 Tetor 2019, takim për Iftar në ‘Restorant Skjeja’ me Reisin e Bashkësis Islame në Mal të Zi dhe Ambasadorin e Turqisë, 30 Qershor 2016, takim me profesorin e Kuranit në medresen “Mehmet Fatih” z. Ismail Ef Hysaj, 2 Shkurt 2019, takim Hafiz Sylejman Bugari, 28 Maj 2019me Dr. Behlul Kanaqin dhe jo vetëm. Pra, siç shihet kemi një mori takimet që haxhi Smajl Muja ka zhvilluar me përsonalitete të ndryshme. Shumica e këtyre takimeve ka qenë të zhvilluara brenda qendrës ku ai punonte, si në raste ligjëratash të ndryshme të mbajtura në këtë qendër.
Në vitin 2016, Smajl Muja vendos të kryej edhe një nga detyrat obligative të çdo muslimani, atë të Haxhit dhe kështu ai niset për në Meke të Arabisë Saudite, për në Qaben e bekuar, ku dhe paiset me titullin “Haxhi”.
Zëri i tij i bukur, duke kënduar pjesë kuranore e sidomos këndimi i “Ezanit”, bën që haxhi Smajl Muja të ftohet në studion e Bashkësis Islame të Malit të Zi në Podgoricë në vitin 2019 për recitimin e Mevludit.
Ai po ashtu ka shkruar artikuj edhe në revisten “Efil” organ i Bashkësis Islame në Mal të Zi me seli në Podgoric. Po ashtu ka lënë edhe një libër në dorëshkrim e cila së shpejtit do të shohë dritën e vet edhe pse pas vdekjes së tij por për plotësimin e dëshirës së tij.
Haxhi Smajl Muja u nda nga jeta më 31.10.2020. La pas bashkëshortën dhe djalin e tij.
Me vdekjen e tij komuniteti krajan dhe Bashkësia Islame e Krajës dhe më gjërë humbi njeriun e dashur, njeriun e fesë, njeriu e devotshëm, të pa lodhur për punët e shtruara për ta, një atdhetar dhe fetarë të madh të trevës ku jetonte e më gjërë. Iku edhe një kontribues i mirë i shoqërisë sonë, një shok e mik i mirë për të gjithë, një bashkëshort, një prind, e mbi të gjitha një njeri pozitiv e korrekt që dinte vetëm të përcillte paqë e dashuri për çdo njeri. Ai do të mbetet në kujtesën e gjithë atyre që e njohën e sidomos të komunitetit krajan, i cili me zërin e tij të bukur të muezinit kur këndonte “Ezanin” në minaren e xhamisë si dhe me këndimin e pjesëve kuranore, me këndimin e mevludit, zëri i tij bëri që çdo kush që e ndëgjonte të kumbonte si zëri i bilbilit, bile nga shumë kush u quajt si “Bilbili i Krajës”. Ai e ka filluar këtë rrugë që fëmijë dhe kurr nuk ju nda deri në ndarjen nga kjo jetë.
Ata që e njohën, ata që pinin një kafe me ta dhe ata që njëherë kishin takime me haxhi Smajl Mujën, përsëri kërkonin ndeja me te. Kurr nuk ishte i mërzitshëm për të tjerët. Gjithmonë tjetrin e bënte edhe më tërheqës me biseda e ndeja. Kur humbim një përson të dashur për miq, për komunitetin dhe ata që e njohin na bën të ndihemi keq sepse mungesa e tyre na le një boshllëk të madh. Pra, edhe me vdekjen e haxhi Smajl Mujës ndiejm këtë boshllëk, kurse tashmë ata të tillët kanë bërë shtëpin e tyre “xhenetin” (parajsën). Ky ishte virtyti i një punëtori të denjë e të devotshëm i cili kishte për bazë bamirësinë, mirësjelljen sepse ai nuk kishte barriera për të krijuar shoqëri e miqësi me të gjithë, pavarsisht dallimit në moshë, pozitë shoqërore dhe jo vetëm, sepse kishte respekt dhe ishte i respektueshëm nga të gjithë që e njohën dhe punuan me te.
Ata që ikin dhe na lënë boshllëk bëhen të “xhenetit”-Amin. Ata jetojnë gjithmonë në kujtimet tona.
Shkruan: Hamid Alaj
New York
11.01.2021