Agjërimi i muajit të Ramazanit u urdhërua gjatë vitit të dytë Hixhri. E pse jo më parë? Në Meke kushtet ekonomike të muslimanëve ishin të dobëta. Ata persekutoheshin dhe shpesh ditët u kalonin pa pasur diçka për të ngrënë. Është e lehtë të kapërcesh vaktet e ngrënies nëse nuk ke çfarë të hash. Qartazi, agjërimi do të ishte shumë i lehtë në këto rrethana. Prandaj, pse nuk u obligua në atë kohë?
Përgjigjja ndoshta ndodhet në atë që Ramazani nuk është vetëm të kapërcesh vaktet e ngrënies. Edhe pse që agjërimi është pjesë përbërëse dhe e rëndësishme e Ramazanit ai ofron një program të përgjithshëm të kontrollimit shpirtëror. I gjithë programi kërkonte paqe dhe sigurim që u ofrua vetëm në Medine.
E vërtetë, Ramazani është muaji më i rëndësishëm i vitit. Është muaji që muslimanët e presin me padurim. Në fillim të Rexhepit – dy muaj të plotë para Ramazanit – pejgamberi Muhamedi, lutej kështu: “ O Allah, na beko gjatë muajve Rexhep dhe Shaban, dhe na le të arrijmë Ramazanin (në shëndet të mirë).”. (Kanzul Ummal, Hadithi 18049)
Përgjatë ramazanit, besimtarët janë të zënë duke kërkuar mëshirën, faljen e Allahut, dhe mbrojtje nga zjarri i xhehenemit. Ky është muaji për përtëritjen e premtimit tonë dhe riformimin e marrëdhënieve tona me Krijuesin tonë. Është stina e pranverës për mirësitë dhe virtytet ku lulet e drejtësisë shpërthejnë anembanë bashkësisë muslimane. “Nëse i bashkojmë të gjitha bekimet të të njëmbëdhjetë muajve të tjerë, ato kurrë nuk do të bëheshin sa ato të muajit të Ramazanit” thotë reformatori dhe dijetari i madh Sheih Ahmet Faruki. Ramazani i ofron çdo muslimani mundësinë që të forcoj imanin e tij, të pastrojë zemrën dhe shpirtit, dhe të largojë pasojat e këqija të mëkateve të bëra. Hadithet mbi meritat e këtij muaji janë shumë të njohur. Një nga ata është edhe:
“Kushdo që agjëron gjatë Ramazanit me besim të pastër dhe më shpresë që do të shpërblehet (nga Allahu xh.sh) do t’i falen gjynahet e mëparshme.” (Buhariu, Hadithi 37).
“Kushdo që qëndron në lutje gjatë netëve të Ramazanit me besim të pastër dhe më shpresë që do të shpërblehet (nga Allahu xh.sh) do t’i falen gjynahet e mëparshme.” (Buhariu, Hadithi 36)
Hadithe të tjera na tregojnë që shpërblimet për vepra të mira janë të shumëfishuara gjatë muaji të Ramazanit.
Krahas mundësisë së shpërblimit të madh ndodhet edhe rreziku për humbje të tmerrshme. Nëse e lemë një nga muajt të tjerë të kalojë në mënyrë të shkujdesur, ne vetëm humbim një muaj por nëse e bëjmë të njëjtën gjatë Ramazanit, humbim gjithçka. Personi i cili humb vetëm një ditë agjërimi pa ndonjë shkak të arsyeshëm nuk mund ta plotësojë tërësisht atë madje edhe sikur të agjërojë çdo ditë të jetës së tij. Nga tre personat që Pejgamberi a.s. i mallkoi, njëri është ai musliman fatkeq të cilin Ramazani e gjeti në shëndet të mirë por nuk e shfrytëzoi rastin të kërkojë mëshirën e Allahut.
Ai i cili nuk agjëron i takon padyshim kësaj kategorie, por njëjtë është edhe person i cili agjëron dhe falet por nuk mundohet të qëndrojë larg nga mëkatet apo nuk arrin të pastrojë zemrën nga begatitë e shumta që ja ofron Ramazanit. Profeti a.s. na paralajmëron: “Ka nga ata që nuk përfitojnë asgjë nga agjërimi përveç urisë dhe etjes. Dhe ka nga ata që nuk përfitojnë asgjë nga namazi i natës përveçse pagjumësisë.” (Musnedi i Ahmedit, hadithi 9308)
Ata që e kuptuan këtë, për ta Ramazani ishte me të vërtetë një muaj shumë i veçantë. Përveç agjërimit, namazeve të obliguara, dhe namazit të Taravisë ata e kalonin krejtë muajin në Ibadet si në namaze nafile (vullnetare), tilava (këndim Kur’ani), dhikr (përmendje të Allahut), etj. Duke pasur parasysh që kjo traditë ka qenë e njerëzve të devotshëm të këtij Umeti përgjatë shekujve, Abul Hasan Ali Nedvi shënon: “Kam parë me sytë e mi asi ulemash dhe shejhash të cilët mbaronin këndimin e të gjithë Kur’anit çdo ditë të Ramazanit. Ata kalonin pothuajse gjithë natën në namaz dhe lutje. Ata hanin aq pak sa që mund të çuditeshe se si mund të arrinin të bënin të gjithë këtë. Këta vlerësonin çdo moment të Ramazanit dhe nuk do të humbnin kohë në gjëra të tjera. Duke i shikuar të bën të besosh historitë dhe tregimet mahnitëse të ibadetit dhe devotshmërisë të të parëve tanë.”
Ky theksim mbi këto vepra adhurimi mund të duket i çuditshëm – madje për disa diçka e kotë, prandaj, kjo kërkon pak shpjegim. Ne e dimë që termi ibadet (adhurim dhe bindje) në Islam nuk përfshin vetëm veprime formale të adhurimit dhe devocionit sikurse që janë namazi, tilave dhe dhikri, por gjithashtu përfshin edhe veprime he aktivitete të kësaj bote kur kryhen konform Sheriat dhe me qëllim që të arrihet kënaqësia e Allahut xh.sh.. Kështu një besimtar duke shkuar në punë ai bën ibadet kur ai fiton ushqim hallall dhe kryen përgjegjësinë e tij si furnizues për familjen. Megjithatë një dallim duhet bërë mes këtyre të dyjave. Kategoria e parë përbëhet nga ibadeti i drejtpërdrejtë, vepra që janë obligim në vete. Kategoria e dytë përbëhet nga ibadetet indirekte – aktivitete të cilat janë ibadet si rezultat i qëllimit dhe kryerjes konform ligjeve të Zotit. Ndërkohë që kategoria e dytë është e rëndësishme, sepse ajo përfshin idenë e ibadetit përgjatë gjithë jetës sonë, ndodhet gjithashtu një rrezik për shkak se nga vetë natyra e veprave mbas tyre mund të fshehën motive të tjera. (A është shkuarja ime në punë me të vërtetë ibadet apo faktikisht jam në garë për lavd). Në këtë rast ibadeti i drejtpërdrejtë vjen në shpëtim. Përmes tij ne pastrojmë motivet dhe qëllimet tona dhe riformojmë marrëdhëniet tona me Allahun xh.sh..
Islami nuk e miraton murgjërinë. Nuk na kërkon që përgjithmonë të izolohemi nga kjo botë, meqë sprovimi ynë është të jetojmë këtu sipas Urdhrave të Krijuesit tonë. Por na kërkon që nganjëherë të pushojmë përkohësisht. Namazet e detyrueshme (pesë faljet e ditës) janë një shembull, sepse për pak minuta nga shumë orë të ditës, i lëmë mënjanë punët e kësaj bote dhe paraqitemi para Allahut xh.sh. për t’i rikujtuar vetvetes sonë që askujt nuk i takon adhurimi përveç Tij dhe bindja e pa luhatur përveç ndaj Tij. Ramazani e lartëson këtë në nivel dhe më të lartë, duke ofruar trajnim të thellë gjatë gjithë muajit.
Kjo ngritje shpirtërore arrihet gjatë Itikafit, ibadet i veçantë i lidhur ngushtë me Ramazanin, kur njeriu i lënë të gjitha aktivitetet e tija normale dhe hyn në një xhami për një kohë të caktuar ditësh. Është meritë e madhe kjo dhe çdo bashkësi muslimane inkurajohet të sigurojë të paktën një person i cili do të bëjë Itikaf për dhjetë ditët e fundit të Ramazanit. Por madje edhe ata të cilët nuk mund të ndajë dhjetë ditët ata janë të inkurajuar të shpenzojnë sa më shumë kohë që të munden në xhami.
Nga ibadeti i drejtpërdrejtë ne “mbushim bateritë”; kurse ibadeti indirekt na lejon të përdorim fuqinë e grumbulluar për të drejtuar timonin e jetës sonë. Ramazani është muaji i rindërtimit të fuqisë sonë shpirtërore. Se sa përfitojmë nga ai varet nga vetë ne.
Nga: Khalid Baig
Përktheu, Brunilda Kajoshaj